Për gjashtëmbëdhjetë vite rresht, shumica e tubimeve të mbajtura anë e kënd Kosovës, kanë qenë të karakterit mortor, akademi për të rënët gjatë luftës, e rrallë herë për suksese.
Shkolla jonë rrugëtimin e dijes e nisi në vjeshtën e vitit 1915, duke e filluar mësimin në xhaminë e fshatit tonë. Për hapjen e kësaj vatre të diturisë, meritë të jashtëzakonshme i takoi patriotit Bajram Curri, si edhe shtetit të Austrisë. Jemi të bindur se Bajram Curri nuk e zgjodhi rastësisht Cermjanin, por ai e bëri këtë nga arsye të shumta. Fshati ynë ndodhej në zemër të Dushkajës, vendbanim shumë i vjetër dhe me burra për patriotizëm, humanitet, por edhe të etur për dituri. Sipas disa shënimeve arkivore, lokaliteti ynë daton si vendbanim i populluar rreth 200 vite para qytetit të Gjakovës. Mësuesi i nderuar, z. Muharrem Domi, më së shpeshti banonte në kullën e Dervish Sadrisë dhe në kullën e agajve. Mësuesi Muharrem Domi ishte i obliguar të banonte në fshat për shkak se udhëtimi Gjakovë – Cermjan dhe anasjelltas ishte shumë i vështirë në atë kohë. Nxënësit në mësim vinin nga fshatrat: Cermjan, Rashkoc, Kodrali, Meqe, Rakovinë, Netic, Radoniq dhe Rakoc. Mësimi fillonte rreth orës 9 të mëngjesit dhe vazhdonte deri në orët e pasdites. Në këtë shkollë, nxënësit mësonin shkrim-leximin, matematikën, historinë, kurse rëndësi e veçantë i kushtohej çështjes kombëtare.Muharrem Domi punoi tre vjet rresht në këtë shkollë, ndërsa pas tri vite të punës, pushtuesi serb ia ndalon mësimin. Pas disa vitesh ndërprerjeje, sërish filloi mësimi, por, fatkeqësisht jo në gjuhën shqipe dhe jo në xhami, por mësimi mbahej në gjuhën serbo-kroate në kullën e Murat Rexhes. Këtu vazhdonte mësimi duke u ndërprerë dnonjëhere deri në luftën e Dytë Botërore, më 1940. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u ndërpre mësimi në gjuhën serbo-kroate dhe rifilloi në gjuhën shqipe, por tash në kullën e agajve me mësues Xhevdet Shehun nga Gjakova. Ai iu rrek punës me seriozitet më të madh, duke i mësuar nxënësit në gjuhën shqipe, por rëndimi i situatës ia pamundësoi këtij mësuesi të dalluar.
Pas përfundimit të luftës, më 1946 sërish filloi mësimi me mësuesin Basri Kryeziu në një klasë prej 25 nxënësish. Pas një viti pune, numri i nxënësve dhe i arsimtarëve vazhdon duke u rritur për t’u kompletuar si shkollë tetë vjeçare. Që nga viti 1958/59, shkolla 8- vjecare emërohet “Vëllazërimi”, duke e mbajtur këtë emër deri në vitin 2012. Në këtë vatër të diturisë kurdo dhe shumë herë përfshiheshin dhe ndryshime të tjera. Fundviti 80 dhe 90, pushtuesi serb filloi të ushtronte dhunë, terror mbi mbarë popullin, ndërsa mbi personelin arsimor akoma më shumë torturuan ata ta cilët nuk u gjunjëzuan. Prkundër kësaj, prinërit, nxënësit dhe mësuesit nuk u dorëzuan për asnjë cmim, por ata edhe në këto rrethana e vazhduan mësimin. U fillua me këshillin e financimit, shpesh herë duke qenë ndër këshillat më të suksesshme në nivel komune.
Fillimi i marsit 98, për personelin tonë arsimor, nuk ishte aspak befasi, sepse ishim të përgatitur shumë më herët edhe për situata më të mëdha. Pra, për luftën e pa hezituar, i tërë personeli doli në ballë të ushtris çlirimtare. Në ball, si gjithnjë doli mësuesi dhe komandanti shembullor Ali Miftar Hasi. Për këtë liri që po e gëzojmë sot ranë shumë dëshmor dhe martir mësues. Mësuesi ishte i pari, pas tij ishin nxënësit e komandantit që i mësonte për ushtrime.
Me vendimin e Ministrisë së Arsimit në Prishtinë, shkolla jonë, që nga vitit 2012, me krenari e mban emrin e të pavdekshmit Ali Miftar Hasi, i cili ra dëshmor në betejën e Koshares.
Emrat lindin kur të shkëlqejë dielli, ndërsa agimet zbardhin në zemrat e atyre që e ndjejnë frymën e diturisë, në mendjen e tyre duke bredhur.